ShtepiMeQera.org

Rregullat e publikimit dhe moderimit

Përditësuar më 5 tetor 2026

Këto rregulla vlejnë për çdo njoftim, nga pronarët, agjentët dhe agjencitë. Qëllimi i tyre është që çdo njoftim të jetë për një pronë të vërtetë, me të dhëna të sakta.

Kush mund të publikojë

Kushdo me një llogari dhe me email të konfirmuar: pronarë, agjentë dhe agjenci. Publikimi i njoftimeve është falas.

Çfarë duhet të ketë një njoftim

  • Një pronë të vërtetë, që jepet me qera në momentin e publikimit.
  • Qeranë mujore të plotë, në euro ose në lekë.
  • Sipërfaqen, qytetin dhe, kur dihet, zonën.
  • Foto të vetë pronës.
  • Një përshkrim me fjalët tuaja.

Çfarë nuk lejohet

  • Prona që nuk ekzistojnë, që nuk janë më të lira, ose qera joshëse që nuk janë qeraja e vërtetë.
  • Prona që ofrohen për shitje: ShtepiMeQera.org liston vetëm qera.
  • I njëjti njoftim i publikuar disa herë nga e njëjta llogari.
  • Numra telefoni, emaile ose adresa faqesh brenda titullit ose përshkrimit. Kontakti bëhet me butonat e faqes.
  • Tituj të shkruar të gjithë me shkronja të mëdha.
  • Foto të marra nga prona të tjera, ose me të dhëna kontakti të shkruara mbi to.
  • Përmbajtje diskriminuese, fyese ose e paligjshme.

Si shqyrtohen njoftimet

Njoftimi i parë i një llogarie të re lexohet nga stafi para se të dalë online. Pasi miratohet një njoftim, llogaria quhet e besuar dhe njoftimet e tjera të saj dalin menjëherë.

Çdo njoftim, edhe nga një llogari e besuar, kalon disa kontrolle automatike dhe pret shqyrtimin kur:

  • nuk ka asnjë foto;
  • qeraja për metër katror është shumë larg asaj të tregut për atë lloj prone;
  • titulli ose përshkrimi është shumë i shkurtër;
  • teksti përmban të dhëna kontakti;
  • teksti e ofron pronën për shitje;
  • një llogari tjetër ka një njoftim që duket se është për të njëjtën pronë.

Kur një njoftim miratohet ose refuzohet, publikuesi njoftohet me email.

Raportimet

Çdo vizitor mund të raportojë një njoftim nga faqja e tij. Raportimet lexohen nga stafi; një raportim nuk e heq vetë njoftimin, që të mos përdoret kundër një konkurrenti. Kur raportimi qëndron, njoftimi hiqet.

Njoftimet e mbyllura

Kur prona jepet me qera, publikuesi duhet ta shënojë njoftimin si të mbyllur. Njoftimi mbetet i dukshëm me shenjën "E dhënë me qera", por del nga kërkimet.

Shkeljet

Një njoftim që shkel rregullat hiqet. Llogaritë që i shkelin vazhdimisht ose që publikojnë njoftime të rreme bllokohen, dhe njoftimet e tyre dalin nga faqja.

Nëse nuk jeni dakord

Nëse njoftimi juaj është refuzuar ose llogaria është bllokuar dhe mendoni se është gabim, na shkruani në info@shtepimeqera.org. E rishikon një person.